Aeroplani i fluturimit FM7035, i mbushur me furnizime për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë, produkte të përdorimit të përditshëm dhe mallra të tregtisë elektronike ndërkufitare, u nis të mërkurën nga Aeroporti Ndërkombëtar "Lishe" i Ningbos në provincën Zhejiang të Kinës Jugore dhe arriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Budapestit "Ferenc Liszt" në Hungari po atë ditë. Kjo shënon fillimin zyrtar të linjës së transportit të mallrave Ningbo-Budapest, që është gjithashtu linja e parë e drejtpërdrejtë e transportit të mallrave e hapur nga aeroporti i Ningbos për në qytetet e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i kompanisë "Eastern Airlines Logistics" Wang Jianmin bën të ditur:
"Fluturimet janë aktualisht çdo të mërkurë dhe të premte ndërmjet Ningbos dhe Budapestit të Hungarisë. Në fluturimin e vajtjes janë transportuar pajisje elektronike, lëndë të para industriale, furnizime antiepidemike dhe veshje. Në udhëtimin e kthimit për në Kinë do të mbarten produkte bujqësore me cilësi të lartë nga Hungaria, si dhe disa produkte bujqësore dhe nënprodukte. Nisja e fluturimeve do të ketë një efekt të madh në promovimin e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore e Lindore në të ardhmen. "
Budapesti është kryeqyteti i Hungarisë. Ai ndodhet në brendësi të kontinentit evropian dhe ka transport të përshtatshëm. Në vitet e fundit, tregtia e Ningbos me Evropën Qendrore dhe Lindore, veçanërisht Hungarinë, është zhvilluar me shpejtësi. Nga janari deri në prill të këtij viti, vëllimi i import-eksportit të Ningbos me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore ishte 11.96 miliardë juanë, 48.8 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, nga të cilat importet u rritën me 241.2 %, duke shënuar rekord. Hungaria aktualisht është vendi i pestë më i madh për sa i përket tregtisë midis Ningbos dhe Evropës Qendrore dhe Lindore. Hapja e linjës së transportit të drejtpërdrejtë ajror të mallrave patjetër do të ndihmojë në shndërrimin e Ningbos në "Zonë të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtar Kinë-Vendet e EQL-së".(foto nga VCG)