Prodhuesi kinez i smartfonave "Xiaomi" është hequr zyrtarisht nga lista e zezë e qeverisë amerikane të "kompanive ushtarake kineze," njoftoi "Xiaomi" në një deklaratë të mërkurën.

Gjykata e Distriktit e ShBA-së për Distriktin e Kolumbias dha një vendim përfundimtar pasditen e së martës, duke anuluar cilësimin nga Departmenti i Mbrojtjes i ShBA-së të "Xiaomi" si një "kompani ushtarake kineze", theksohet në deklaratën e publikuar në uebsajtin e Bursës së Hong-Kongut.

Vendimi heq zyrtarisht të gjitha kufizimet mbi blerjen ose zotërimin e letrave me vlerë të kompanisë prej investitorëve amerikanë, thuhet në deklaratë.

Më 14 janar, nëntë firma kineze, duke përfshirë "Xiaomi", u shtuan në një listë të zezë të të ashtuquajturave "kompani ushtarake kineze" sipas një dekreti nga ish-presidenti i ShBA-së Donald Trump, ku u kërkohej investitorëve amerikanë që të shisnin të gjitha letrat me vlerë të kompanive të listës së zezë që zotëronin, deri më 11 nëntor të vitit 2021.

Kina u përgjigj se nuk ekziston asnjë bazë ose drejtësi procedurale për qeverinë e ShBA-së në përcaktimin e kompanive të teknologjisë civile si "Xiaomi" etj. si "kompani ushtarake kineze".

Më 29 janar, "Xiaomi" bëri një ankesë ligjore kundër departmenteve të Mbrojtjes dhe të Thesarit të ShBA-së. (Xu Guang)