Duke iu referuar "pezullimit" të diskutimeve mbi miratimin e marrëveshjes së investimeve ndërmjet Kinës e BE-së, studiuesi i Institutit për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve Ndërkombëtare të Universitetit Tsinghua, Zhou Xiaoyan, u shpreh se kjo është një marrëveshje me leverdi të ndërsjellë e përfitime të përbashkëta, që favorizon Kinën, BE-në dhe botën. Kina dhe BE-ja duhet të bëjnë vlerësime objektive për rezultatin e negociatave dhe ndikimet e tyre ndaj marrëdhënieve ekonomiko-tregtare dypalëshe.

Zhou Xiaoyan-i tha se marrëdhëniet ekonomiko-tregtare ndërmjet Kinës e BE-së, që kanë ardhur duke u bërë gjithnjë e më të ngushta, kanë nevojë për një planifikim ekonomiko-tregtar të nivelit të lartë. Në vitin 2020 bashkëpunimi ekonomiko-tregtar kino-evropian i kapërceu ndikimet e epidemisë, duke shfaqur një qëndrueshmëri të madhe. Vëllimi i tregtisë dypalëshe u shtua 4.9 %, duke arritur një vlerë prej 649.5 miliardë dollarësh amerikanë. Kina u bë për herë të parë partnerja më e madhe tregtare e BE-së.

Kina dhe BE-ja bënë premtime ambicioze për hapjen e tregut në fushat e energjisë së rinovueshme, automjeteve me energji të re, shërbimeve financiare, mjekësisë, mbrojtjes së mjedisit etj., në të cilat kompanitë evropiane gëzojnë epërsi konkurruese. Kjo marrëveshje mund t'u ofrojë ndërmarrjeve të të dy palëve raste investimi në tregjet e njëra-tjetrës. Sipas sondazheve përkatëse, shumica e ndërmarrjeve të BE-së kanë shprehur dëshirën e zgjerimit të investimeve në Kinë, dhe ndërmarrjet kineze shpresojnë të zhvillohen më tej në tregun evropian.

Sipas opinionit të Zhou Xiaoyan-it, edhe mëkëmbja e ekonomisë botërore pas rënies së epidemisë ka nevojë për përmbylljen sa më parë të marrëveshjes së investimeve ndërmjet Kinës e BE-së. Tani epidemia e COVID-19 po vazhdon të përhapet në tërë botën dhe rimëkëmbja ekonomike botërore është e dobët. Kina dhe BE-ja janë dy ekonomi të rëndësishme botërore që përkrahin vendosjen e rregullave ekonomiko-tregtare ndërkombëtare të nivelit të lartë. Marrëveshja e investimeve kino-evropiane është një arritje e madhe e zhvillimit të rregullave ekonomiko-tregtare ndërkombëtare pas epidemisë dhe të dy palët duhet të nxitin me përgjegjësi vënien në zbatim të këtyre rregullave, duke i dhënë energji pozitive mëkëmbjes së ekonomisë botërore. (Xu Guang)