Foto nga VCG

Kina dënoi të martën ShBA-në për nxitje të konflikteve midis Izraelit dhe Palestinës pasi bllokoi deklaratën e përbashkët të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm për herë të tretë.

E udhëhequr nga Kina, Norvegjia dhe Tunizia, Këshilli i Sigurimit i OKB-së zhvilloi të dielën një mbledhje urgjente për të diskutuar gjendjen në Gazë. Sidoqoftë, për shkak të kundërshtimit të ShBA-së, takimi përfundoi pa asnjë rezultat konkret.

Konflikti i vazhdueshëm është dhuna më e rëndë midis Izraelit dhe enklavës palestineze që nga viti 2014. Prej 10 majit, si pasojë e konfliktit janë vrarë 204 palestinezë, përfshi 59 fëmijë si dhe 10 izraelitë, duke përfshirë një djalë pesë vjeç dhe një ushtar.

Duke folur për këtë çështje, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian shprehu zhgënjimin e Kinës dhe të bashkësisë ndërkombëtare në deklaratën e përbashkët, duke thënë se ShBA-ja po qëndron në anën e kundërt të drejtësisë.

Sipas Zhao-s, shumica e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit po bëjnë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm për të shmangur acarimin e mëtejshëm që do të çonte në krizë totale.

Ndërkohë, ShBA-ja, në vend që të angazhohet për të ndaluar krizën, zgjodhi të ushqejë tensionin, duke qenë zëri i vetëm kundërshtar në çështjen e bllokimit të përpjekjeve ndërkombëtare.

Nën administratën e Joe Biden-it, Shtetet e Bashkuara i kanë ndezur dritën jeshile shitjes prej 735 milionë dollarësh të armëve me precizion të lartë Izraelit, raportuan të hënën mediet amerikane.

Zhao i kërkoi ShBA-së të heqë dorë nga retorika mbi të drejtat dhe dinjitetin e myslimanëve dhe të veprojë konkretisht për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e palestinezëve. (Albana)