Foto nga VCG

Të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Zhao Lijian u shpreh se Kina e mirëkupton dhe e përkrah plotësisht kërkesën e vendeve në zhvillim për përjashtimin e të drejtave të pronësisë intelektuale të vaksinave të COVID-19.

Zhao Lijian theksoi se bota ende po vuan nga pandemia dhe vaksina është arma më e fuqishme për mposhtjen e saj.

“Si vendi më i madh në zhvillim dhe një vend i përgjegjshëm, Kina i përkrah të gjitha përpjekjet e vendeve në zhvillim kundër pandemisë dhe për marrjen në mënyrë të barabartë të vaksinave. Vaksina e COVID-19 është një produkt publik global, Kina bën përpjekje për të krijuar bashkësinë e shëndetit të njerëzimit,” tha Zhao Lijian.

Zhao nënvizoi se deri tani Kina u ka dhënë mbi 80 vendeve dhe 3 organizatave ndërkombëtare ndihma vaksinash, ka eksportuar vaksina në mbi 50 vende dhe ka zhvilluar bashkëpunimin teknologjik e prodhues me mbi 10 vende në zhvillim duke përfshirë Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe etj. Ditët e fundit, vaksina kineze “Sinopharm” u miratua nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për përdorim urgjent. Kina ka shpallur gjithashtu dhënien e vaksinave ndaj misionit paqeruajtës të OKB-së dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. (Fani/Albana)