Foto:VCG

Foto:VCG

Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Britanisë vlerësohet në mbarë vendin, por një raport akademik tregon se parimi për një qasje të barabartë për nevoja të barabarta nuk po mbështetet në departamentet e urgjencës në Angli.

Një studim nga akademikë në Universitetin e Mançesterit tregoi se profesionistët e kujdesit shëndetësor mund të caktojnë në mënyrë të pandërgjegjshme prioritet klinik më të ulët për pacientët nga zonat më të varfra në krahasim me ata nga zonat më të pasura, citon “Xinhua”.

Duke analizuar të dhënat kombëtare për pacientët që mbërrinin me ambulanca në pavijonet e urgjencës në të gjitha spitalet kryesore angleze, studiuesit zbuluan se pacientët nga zonat më të privuara prisnin më gjatë për të marrë trajtim dhe morën trajtim më pak kompleks se ata nga zonat më të pasura, edhe kur paraqiteshin të njëjtat kushte shëndetësore në të njëjtin spital.

"Pabarazitë e vëzhguara ishin të pranishme edhe kur urgjencat kishin më pak njerëz, duke treguar se pabarazitë nuk janë të përqendruara në periudha kur stafi është nën presion më të madh kohor",- përfundoi studimi.

Është e mundur, thanë studiuesit, që paragjykimi i pavetëdijshëm është arsyeja pse prioritet më i ulët iu dha pacientëve nga zonat e privuara.

Gjetjet, të botuara në “Journal of Health Economics”, janë të parat që tregojnë prova të pabarazive të lidhura me të ardhurat në aksesin në shërbimin shëndetësor në Angli. (Elona)