Foto nga VCG

Presidenti francez Emmanuel Macron ka nënshkruar protokollin e ratifikimit për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.

Lajmi njoftohet nga pallati “Élysée”, duke e bërë Francën vendin e 24-t që nënshkruan për praninë e dy vendeve nordike në Aleancën Veriatlantike, shkruan “RTSH”.

“Kjo zgjedhje sovrane nga Finlanda dhe Suedia do të forcojë sigurinë e tyre përballë kërcënimit ekzistues në afërsi të tyre të menjëhershme dhe do të japë një kontribut të rëndësishëm në pozicionin kolektiv dhe sigurinë tonë evropiane”,- tha Macron.

Më herët, parlamenti francez kishte miratuar pranimin e dy vendeve nordike në NATO.

Përpara se protokollet e anëtarësimit të hyjnë në fuqi, ato duhet të ratifikohen nga të 30 vendet anëtare të NATO-s. Deri tani, e kanë ratifikuar më shumë se 20 nga 30 vendet që përbëjnë Aleancën.

Suedia dhe Finlanda kanë qenë partnerë të NATO-s për një kohë të gjatë, por qëndruan larg anëtarësimit të plotë për dekada. (Fatosi)