foto/VCG

foto/VCG

Shkalla e ngrohjes polare është nënvlerësuar, me ngrohjen e rajonit të Arktikut katër herë më shpejt se mesatarja botërore gjatë 43 viteve të fundit, ka zbuluar një studim i ri.

Kjo është shumë më e shpejtë se vlerësimet e mëparshme nga paneli i shkencës klimatike të Kombeve të Bashkuara në vitin 2019. Në atë kohë, paneli tha se rajoni po ngrohej me më shumë se dyfishi i mesatares globale për shkak të një procesi të njohur si amplifikimi i Arktikut ose ngrohja intensive në Arktik, bën të ditur “Xinhua”.

Megjithatë, studiuesit nga Instituti Meteorologjik Finlandez kanë publikuar analizën e tyre të temperaturave të pas vitit 1979 në Arktik, në një numër të fundit të revistës shkencore “Communications Earth and Environment”.

Në studimin e ri, rajoni i Arktikut u përcaktua si zona brenda rrethit Arktik. Shkalla e ngrohjes u llogarit nga viti 1979, kur u bënë të disponueshme vëzhgime më të hollësishme satelitore.

"Ne u fokusuam në një periudhë që filloi në 1979-n, sepse vëzhgimet pas atij viti janë më të besueshme dhe sepse ngrohja e fortë filloi në vitet 1970",- tha Mika Rantanen, studiues në Institutin Meteorologjik Finlandez. Ngrohja ka qenë edhe më e fortë në nivel lokal. Në zonën e detit Barens, për shembull, ka qenë shtatë herë më e shpejtë se mesatarja globale, tha ai. (Irma)