foto/VCG

foto/VCG

Nënkryetari i Parlamentit të Libanit, Elias Bou Saab, deklaroi se mosmarrëveshja për demarkacionin e kufirit midis Libanit dhe Izraelit duhet të zgjidhet përpara shtatorit.

“Sulmi në Gaza vonoi dosjen e demarkacionit. Ne nuk kemi kohë të pafund për t'u marrë me këtë çështje. Afati duhet të përfundojë përpara shtatorit për të ruajtur stabilitetin”,- tha Bou Saab në një deklaratë publikuar nga Presidenca e Libanit, citon “Xinhua”.

Deklarata e tij u bë pas takimit me presidentin Michel Aoun, për të diskutuar zhvillimet e fundit mbi demarkacionin e kufirit dhe çështje të tjera.

Bou Saab tha se Libani është në kontakt me të dërguarin e SHBA-së për Energjinë, Amos Hochstein, i cili ende po bën përpjekje për këtë çështje.

Autoritetet libaneze po përpiqen të arrijnë një zgjidhje me Izraelin për t'i dhënë fund mosmarrëveshjes mbi kufijtë detarë, e cila është përshkallëzuar pasi Izraeli dërgoi më 5 qershor një anije të operuar nga “Energean” me bazë në Londër në fushën Karish, për të cilën Izraeli pretendon se është brenda zonës së tij ekonomike, ndërsa Libani pretendon se është ujërat e diskutueshme.

Si kundërpërgjigje, Hezbollahu nisi tre drone të paarmatosur në një mision zbulimi drejt fushës, ndërsa kërcënoi se ka kapacitetin ushtarak dhe logjistik për të parandaluar Izraelin të ndjekë aktivitetet e tij në terren.

I dërguari i SHBA-së për Energjinë Amos Hochstein vizitoi Libanin më 31 korrik për të diskutuar demarkacionin e kufirit me autoritetet libaneze dhe njoftoi një ditë më vonë se ai është optimist për arritjen e një zgjidhjeje të afërt. (Irma)