Më 9 gusht hyri në fuqi plani i BE-së për të reduktuar konsumin e gazit me 15% në të gjitha vendet anëtare për të përballuar krizën e çmimeve të energjisë, raporton gazeta italiane “La Repubblica”, citon “RTSH”.

“Duke pasur parasysh rrezikun e afërt për sigurinë e furnizimit me gaz, shkaktuar pas konfliktit Rusi-Ukrainë, kjo rregullore duhet të hyjë në fuqi urgjentisht”,- thuhet në një njoftim të BE-së.

Qëllimi i planit është të rimbushë rezervat e gazit për të qenë gati për dimrin e ardhshëm. Nevoja për këtë plan nisi pas fillimit të konfliktit në Ukrainë. Rusia ka pakësuar ndjeshëm furnizimet e bllokut me gazin e saj gjatë muajve të fundit.

Masa është pjesë e planit të shumëpritur “Save Gas for Safe Winter”, të paraqitur në Bruksel, për shqetësimet se BE-ja do të luftojë jo vetëm të mbushë kapacitetet e depozitimit të gazit përpara fillimit të dimrit, por dhe të sigurojë furnizime të mjaftueshme shtesë. (Elona)