Foto nga VCG

Izraeli konfirmoi të dielën se ka rënë dakord për një armëpushim të ndërmjetësuar nga Egjipti me Xhihadin Islamik Palestinez (PIJ) në Rripin e Gazës, duke i dhënë fund sulmeve ajrore vdekjeprurëse izraelite dhe breshërisë së raketave palestineze për tre ditë, njofton “Xinhua”.

Lior Hayat, kreu i Drejtorisë Kombëtare të Diplomacisë Publike të Izraelit, konfirmoi për hyrjen në fuqi të armëpushimit mbrëmjen e së dielës.

“Nëse shkelet armëpushimi, Izraeli rezervon të drejtën të përgjigjet me forcë”, shtoi Hayat.

Izraeli falënderoi Egjiptin për ndërmjetësimin e armëpushimit.

Duke filluar nga e premtja, Izraeli kreu një sërë sulmesh ajrore që synonin pozicionet e Xhihadit Islamik Palestinez në Gaza, duke vrarë të paktën 43 njerëz, përfshirë 15 fëmijë, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza.

Si përgjigje, Xhihadi Islamik Palestinez dhe militantë të tjerë në Gaza hodhën më shumë se 950 raketa në disa qytete në Izraelin jugor dhe qendror, duke mos shkaktuar viktima. (Fatosi)