Foto nga VCG

Ukraina dhe Rusia shkëmbyen akuza të dielën për një sulm të ri në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainën jugore, njofton “Xinhua”.

Zaporizhzhia është një nga komplekset më të mëdha të energjisë atomike në Evropë dhe prodhon një të katërtën e totalit të energjisë elektrike të Ukrainës. Ajo ka qenë nën kontrollin e forcave ruse që nga marsi dhe ka qenë skena e sulmeve ushtarake ditët e fundit.

Operatori shtetëror i energjisë bërthamore i Ukrainës, Energoatom, akuzoi forcat ruse për bombardimin e termocentralit, duke thënë se sulmet e fundit me raketa të shtunën goditën zonën pranë objektit të magazinimit të thatë të uzinës, ku ndodheshin 174 kontejnerë për karburant bërthamor në ambient të hapur.

Energoatom-i bëri të ditur se është e pamundur të monitorohet siç duhet situata e rrezatimit në vend, sepse tre detektorë të monitorimit të rrezatimit përreth objektit u dëmtuan.

Të dielën, agjencia e lajmeve “TASS” raportoi se administrata e qytetit Energodar, ku ndodhet centrali bërthamor, fajësoi ushtrinë ukrainase për sulmet gjatë natës.

Autoritetet lokale njoftuan se trupat ukrainase filluan një sulm kundër uzinës duke përdorur sistemin e raketave të shumëfishta 220 mm Uragan të shtunën mbrëma. Depoja e karburantit bërthamor ishte në zonën e prekur.

Ai shtoi se municionet dhe motori i raketës ranë brenda 400 metrave nga njësia e fuqisë operative. (Fatosi)