Foto: Xinhua

Foto: Xinhua

Në kryeqytetin afgan, Kabul, u zhvillua ceremonia inauguruese e ndërtesës së mësimdhënies dhe auditorit të financuar nga Kina në Universitetin e Kabulit. Në ceremoni ishin të pranishëm edhe ambasadori kinez Wang Yu, ministri në detyrë i Arsimit të Lartë i qeverisë së përkohshme të Afganistanit të udhëhequr nga talebanët, Abdul Baqi Haqqani, dhe rektori i Universitetit të Kabulit, Osama Aziz.

Ambasadori Wang tha se ndërtesa moderne e mësimdhënies, e financuar nga qeveria kineze, është përfunduar brenda pesë viteve, duke u bërë kështu një simbol i bashkëpunimit dypalësh në fushën e arsimit, përcjell “Xinhua”. Sipas tij, Kina ka pasur bashkëpunim të gjerë dhe të thellë me Afganistanin në arsim.

Aktualisht, mijëra studentë afganë po studiojnë në Kinë dhe rreth 200 studentë vendas janë të regjistruar në Institutin Konfuci të Universitetit të Kabulit, shtoi ambasadori kinez, i cili theksoi se Kina do të vazhdojë të ofrojë mbështetje dhe ndihmë për Afganistanin dhe të zgjerojë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin.

Ministri Haqqani shprehu mirënjohje për Kinën për ndihmën për ndërtimin e infrastrukturës në Universitetin e Kabulit. Ai tha se Afganistani sapo ka dalë nga këneta e viteve të luftërave dhe tani po përballet me detyra të reja si zhvillimi ekonomik dhe rindërtimi social. Ai tha se shpreson se Kina do të vazhdojë të ofrojë ndihmë për Afganistanin në të ardhmen dhe të ketë më shumë bashkëpunim në fushën e arsimit.

Rektori Aziz tha se Universiteti i Kabulit është thellësisht mirënjohës për ndihmën dhe mbështetjen afatgjatë të Kinës. Sipas tij, ndërtesa e mësimdhënies dhe auditori do të përdoren që studentët e diplomuar të marrin arsim të mirë dhe infrastruktura do të kontribuojë në bashkëpunimin midis Afganistanit dhe Kinës. (Irma)