Kina dhe Greqia janë një binom unik. Qytetërimet e pasura antike i kanë ndihmuar ata të përcaktojnë partneritetin e tyre natyror sot. Erdha në Greqi për të eksploruar më tej këtë kuptim. Porti i parë që do të vizitoja ishte ai i Pireut, një port në kryeqytetin e lashtë të Athinës, që daton më shumë se 2500 vjet më parë.

Deri në vitin 2021, kompania shtetërore kineze “China Ocean Shipping Company” (COSCO) kishte blerë 67% të të gjithë funksionimit të portit, duke krijuar më shumë se 10.000 vende pune dhe duke e transformuar Greqinë në një qendër transporti dhe logjistike në Euroazi përgjatë “Një brez, një rrugë”.

Savvios Sanozidis, sekretari i bordit drejtues të portit, deklaroi se kinezët morën parasysh mençurinë e grekëve të lashtë, duke vlerësuar pozicionin gjeografik të portit.

Si porti i parë i madh evropian pas Kanalit të Suezit, Pireu është një portë strategjike për në Evropë, Azi dhe Afrikë.

Një nga tre terminalet kryesore të portit të Pireut/ CGTN

Një nga tre terminalet kryesore të portit të Pireut/ CGTN

“Porti i Pireut është shndërruar në më të madhin port mesdhetar për sa i përket xhiros së kontejnerëve, duke bërë që operimet e kompanisë të kenë rritur fitimet”, -tha Sanozidis.

Në vitin 2019, presidenti kinez Xi Jinping pa nga afër suksesin e bashkëpunimit Kinë-Greqi të ilustruar në port. Gjatë kësaj vizite, ai foli për përfitimet e ndërsjella që të dyja vendet gëzonin përmes bashkëpunimit dhe avantazheve nga njëri-tjetri. Presidenti Xi u takua edhe me punonjës. Një prej tyre ishte dhe Patricia Zigou, zëvendësmenaxherja e terminalit të automjeteve të portit.

“Ai ishte shumë i ngrohtë me ne. E informuam presidentin kinez për zhvillimin e portit dhe për punën e përditshme me bashkëpunuesit kinezë, e cila bazohet te besimi dhe shkëmbimi i ndërsjellë. Të dyja vendet ndajnë një kulturë dhe histori të pasur themelore dhe sigurisht kjo është diçka që i lidh ato”, -tha Zigou.

Pjesë e komitetit të mirëseardhjes ishte edhe Sanozidis, i cili tha se vizita ishte një sinjal për të treguar rëndësinë që i jep Kina investimit në portin e Pireut. Gjithashtu, sipas tij, ishte një shans për të treguar se ky investim po funksionon si një urë miqësie mes dy vendeve.

Mallra nga e gjithë bota ridërgohen përmes këtij porti, duke përfshirë produkte të reja të destinuara për në tregun kinez.

Rreth tre orë me makinë nga porti në gadishullin e Peloponezit, u njoha me kultivuesin e ullinjve Anastasis Karambotsos, drejtues i “Karambotsos Olive Oil”.

Biznesi familjar i drejtuar në fshatin e vogël Ampelófyto thekson vërtet përfitimet e marrëveshjeve dypalëshe. Njëra prej tyre u nënshkrua gjatë vizitës së presidentit Xi në vitin 2019 dhe hapi Kinën ndaj sektorëve të ndryshëm bujqësorë, përfshirë importin e vajit të ullirit grek.

“Kishte shumë rregulla për kompanitë e vogla, për bizneset e vogla familjare si të tonat, por përmes bashkëpunimeve të reja, ne kemi arritur të zgjerojmë dhe eksportojmë produktet tona me cilësi të lartë në tregun e Kinës”, -tha Karambotsos. Brenda një viti, porositë u rritën pesë herë, nga 10.000 shishe në 50.000.

“Karambotsos” tani po zgjeron ambientin e paketimit për të përmbushur këtë kërkesë më të madhe, e cila do të ndihmojë në krijimin e më shumë vendeve të punës në rajon, thotë ai.

“Ne kemi nevojë për më shumë njerëz për të menaxhuar sistemet tona të cilësisë gjatë viteve të ardhshme. Do të kemi nevojë për më shumë njerëz gjithashtu për ambalazhimin dhe mbushjen e shisheve. Kjo është diçka që do të ndihmojë zonën. Kultivimi i pemës së ullirit dhe bujqësia është një nga burimet më të mëdha të të ardhurave për rajonin”, -tha Karambotsos.

Gjatë takimit në Athinë me ministrin grek të Investimeve, Adonis Georgiadis, ai theksoi se investimet kineze erdhën në kohën më të vështirë ekonomike për Greqinë, duke dëshmuar një thënie të tjetër: “Miku i mirë njihet në ditë të vështira”.

“Kina u tregua një mike e vërtetë për Greqinë. Në përgjithësi, logjistika, transporti dhe portet janë një fushë ku Kina ka një prani të madhe në Greqi. Përtej kësaj, Kina ka investuar shumë para në sektorin tonë energjetik dhe shumë investime kineze po vijnë në fushën e energjisë së rinovueshme. e cila është e rëndësishme si për ne ashtu edhe për Kinën”, -deklaroi ministri grek.

Një porcelan kinez në Muze Benaki/ CGTN

Një porcelan kinez në Muze Benaki/ CGTN

Ndalesa ime e preferuar ishte Muzeu Benaki, një udhëtim nëpër qytetërimin grek nga antikiteti deri në shekullin XXI. Të kuptuarit e kësaj thellësie të kulturës ishte gjithashtu një aspekt i rëndësishëm i vizitës së presidentit kinez Xi. Gjatë vizitës së tij, ai preferoi një turne të thelluar në Muzeun e Akropolit të Athinës.

“Edhe pse të dy qytetërimet janë gjeografikisht larg njëra-tjetrës, vazhdimi i dialogut mes tyre dhe mes të gjitha qytetërimeve është thelbësor për bashkëjetesën paqësore”, -tha presidenti Xi.

“Gjetja e të përbashkëtave është ajo që na bën njerëz”, -tha George Manginis, drejtor akademik i Muzeut Benaki. “Ne duhet të krijojmë një bazë të përbashkët solide në mënyrë që të mund të ecim përpara. Kultura dhe historia e ofrojnë këtë soliditet”, -tha ai.

Me gjithë atë që ka ndodhur në botë, ishte bukur të shihje dy kulturat me qytetërime të lashta që nuk konkurrojnë për një dominim më të madh, por përkundrazi e ndihmojnë njëra-tjetrën për të kaluar vështirësitë dhe për të bashkuar më shumë qytetërime për një botë më të pranueshme dhe të begatë.