Konfindustria (Foto RTSH)

Konfindustria (Foto RTSH)

Sulmi kibernetik që iu bë platformës që ofron shërbimet publike online, e-Albania, ka bërë që shumë biznese mos të jenë në gjendje të përmbyllin pasqyrat e tyre financiare brenda 31 korrikut 2022. Për këtë arsye, duke arsyetuar mungesën e shërbimit për disa ditë, Konfindustria i kërkoi Ministrisë së Financave shtyrjen e afatit të paraqitjes së pasqyrave financiare të bizneseve përtej detyrimit të datës 31 korrik 2022, bën të ditur “RTSH”.

Mosdorëzimi në kohë i pasqyrave financiare gjobitet me 60 mijë lekë, por sipas Konfindustrisë vonesa në këtë rast nuk është për faj të bizneseve, por përgjegjësi e e-Albanias.

Kërkesës së Konfindustrisë, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, i është përgjigjur pozitivisht, duke thënë se afati do të shtyhet aq ditë sa nuk ka punuar dhe portali qeveritar e-Albania.

“Ministria e Financave dhe Ekonomisë njofton se, duke u nisur nga situata e krijuar ditët e fundit për arsye të mosfunksionimit të portalit qeveritar e-Albania, Qendra Kombëtare e Biznesit do të zbatojë parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative lidhur me afatin për depozitimin e pasqyrave financiare në regjistrin tregtar. Bazuar në nenin 54 të Kodit të Procedurave Administrative, afati për depozitimin e pasqyrave financiare në regjistrin tregtar do të shtyhet për aq ditë sa nuk ka funksionuar portali qeveritar e-Albania. Subjektet që nuk kanë aplikuar akoma për depozitimin e pasqyrave financiare do të rivendosen për depozitimin e tyre brenda periudhës së shtyrjes së afatit fillestar”,- njoftoi Ibrahimaj. (Elona)