OBSH Covid (Foto Xinhua)

OBSH Covid (Foto Xinhua)

Zyra Rajonale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Evropën parashikoi një vjeshtë dhe dimër sfidues, mes rasteve të përshkallëzimit të shpejtë të Covid-19 në rajon.

Javën e kaluar, rreth 3 milionë raste të reja me Covid-19 u raportuan në rajonin evropian, që përbën gati gjysmën e të gjitha rasteve të reja në nivel global, bëri të ditur OBSH-ja në një njoftim për shtyp, citon “Xinhua”.

“Tani është plotësisht e qartë se jemi në një situatë të ngjashme me verën e kaluar, vetëm këtë herë vala e vazhdueshme Covid-19 po nxitet nga nënvariantet e Omikron, veçanërisht BA.2 dhe BA.5”, -tha drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.

Sipas OBSH-së, në Evropë, afro 3000 njerëz në javë kanë vdekur nga Covid-19 dhe shkalla e infeksionit po rritet më shpejt në mesin e popullatave më të cenueshme.

Me rihapjen e shkollave dhe kthimin e njerëzve nga pushimet, OBSH-ja parashikon një rritje të konsiderueshme të rasteve të transmetimeve dhe vdekjeve në muajt e ardhshëm të vjeshtës dhe dimrit.

Kluge tha se OBSH ka hartuar një strategji vjeshtë/dimër për Covid-19 dhe viruse të tjera të frymëmarrjes për të ndihmuar në përgatitjen për valët e ardhshme të infeksionit.

Strategjia e sapopublikuar u kërkon vendeve në rajon që të rinisin përpjekjet me pesë stabilizues të pandemisë, duke përfshirë rritjen e marrjes së vaksinave përkatëse, duke i dhënë përparësi administrimit të një doze të dytë përforcuese të vaksinave, promovimin e përdorimit të maskave në publik, rritjen e ventilimit në të gjitha zonat publike dhe aplikimin e protokolleve rigoroze terapeutike për ata që janë në rrezik për sëmundje të rënda. (Elona)