Foto: VCG

Foto: VCG

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, deklaroi se në takimin e Stambollit u arrit një marrëveshje mbi parimet bazë dhe disa çështje teknike për rifillimin e eksporteve të grurit ukrainas, përcjell “Xinhua”.

Deklarata erdhi pas një takimi katërpalësh të mbajtur në Stamboll nga delegacionet e Turqisë, Ukrainës, Rusisë dhe Kombeve të Bashkuara.

“Në takim, i cili ishte një hap i rëndësishëm për të kontribuar në zgjidhjen e krizës ushqimore, u trajtuan të gjitha detajet mbi transportin e sigurt të drithit dhe anijeve të tjera të ngarkuara me ushqime përmes rrugëve detare”, -tha Akar, duke theksuar se bisedimet u zhvilluan në një atmosferë pozitive e konstruktive.

“Shohim se palët janë të gatshme ta zgjidhin këtë problem. Ne do të përpiqemi të arrijmë një përfundim duke e kryer këtë në koordinim me OKB-në”, -tha ministri turk.

Akar vuri në dukje se është rënë dakord për disa çështje teknike, si krijimi i një qendre koordinimi në Stamboll, ku do të jenë të pranishëm përfaqësues të të gjitha palëve, kryerjen e kontrolleve të përbashkëta në porte dhe garantimin e sigurisë së lundrimit në rrugët e transferimit.

Sipas ministrit turk, delegacionet ukrainase dhe ruse do të takohen sërish në Turqi javën e ardhshme për të shqyrtuar të gjitha detajet dhe do të nënshkruhen dokumentet zyrtare.

Turqia, e cila kontrollon trafikun detar drejt dhe nga Deti i Zi përmes ngushticës së Bosforit në Stamboll, ka luajtur një rol ndërmjetësues, duke kërkuar mënyra për të krijuar një mekanizëm që do t'i lejojë Ukrainës të eksportojë drithërat e saj në mënyrë të sigurt. (Irma)