Foto: VCG

Foto: VCG

Greqia mbetet një destinacion tërheqës investimi pavarësisht sfidave, të tilla si pandemia Covid-19, kriza energjetike dhe konflikti në Ukrainë, sipas një sondazhi të publikuar të mërkurën gjatë një forumi ekonomik, citon “Xinhua”.

Imazhi i vendit si një destinacion investimi u përmirësua në vitin 2021 krahasuar me vitin 2020, thanë 58 për qind e të anketuarve në rrjetin global të shërbimeve profesionale “Ernst & Young” (EY).

Rreth 75% e 250 menaxherëve të kompanive nga 25 vende që morën pjesë në sondazh thanë se prisnin që Greqia të bëhej edhe më tërheqëse për investitorët në tre vitet e ardhshme. Afro 54% thanë se planifikonin të vazhdonin me planet e tyre të investimeve këtë vit, ndërsa 32 për qind thanë se preferonin të pezullonin investimet e tyre të planifikuara për të paktën një vit.

Cilësia e jetës, infrastruktura dhe niveli i aftësive të punës kryesojnë avantazhet krahasuese të Greqisë, sipas sondazhit, ndërsa kostot e taksave dhe sigurimeve shoqërore dhe kuadri i legjislacionit të punës në vend janë identifikuar si dobësi që duhet të adresohen për të përmirësuar më tej atraktivitetin e vendit, deklaroi Panos Papazoglou, partneri menaxhues i “EY” në Greqi, ndërsa prezantoi sondazhin.

Greqia ka arritur përparim të rëndësishëm në vitet e fundit, por ka ende një rrugë të gjatë për të bërë, tha Adonis Georgiadis, ministër i Zhvillimit dhe Investimeve, në një fjalim në “Forumin e 5-të të InvestGR 2022”. Ai tha se kishte besim se 2022-shi do të jetë një vit i mirë për investimet e huaja direkte (IHD) në Greqi, pas rekordeve të 2021-shit.

Vitin e kaluar, flukset neto të IHD-ve kaluan 5 miliardë euro (5 miliardë dollarë amerikanë), sipas të dhënave të Bankës së Greqisë.

“Greqia po vendoset si një qendër rajonale për inovacionin, për logjistikën dhe për energjinë. Energjia është padyshim sektori i nxehtë për vendin veçanërisht tani, në dritën e konfliktit në Ukrainë”, -tha për “Xinhua” Andreas Yannopoulos, themeluesi i Forumit “InvestGR”, duke vënë në dukje se edhe investitorët kinezë po eksplorojnë mundësi në këtë rajon. (Irma)