Foto nga VCG

Ish-kryeministri britanik John Major shprehet se Boris Johnson-i duhet të zëvendësohet menjëherë në vend që të lejohet të mbetet drejtues i përkohshëm, pasi kabineti i tij mund të ketë vështirësi për ta "frenuar atë".

Johnson-i njoftoi dorëheqjen si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar të enjten, pas braktisjes që iu bë nga ministrat e kabinetit dhe shumë ligjvënës të Partisë Konservatore, të cilët thanë se ai nuk ishte më i aftë për të qeverisur.

Jashtë zyrës së tij në "Downing Street", Johnson-i njoftoi dorëheqjen e vet "të dhimbshme". Megjithatë, ai i bëri ballë trysnisë për të dhënë dorëheqjen menjëherë, duke këmbëngulur se planifikonte të qëndronte kryeministër gjatë kohës që partia e tij të zgjidhte pasardhësin.

Dorëheqja pason tre vjet skandale, duke përfshirë zemërimin ndaj Johnson-it për festat e mbajtura në zyrën e tij në "Downing Street" gjatë mbylljeve lidhur me koronavirusin, akuzat për shkelje të ligjit ndërkombëtar mbi kërcënimin e tij për të anashkaluar pjesë të traktatit që rregullon daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe, së fundi, trajtimin nga Johnson-i të akuzave për ngacmim seksual kundër një ligjvënësi. (Artan/Fani)