Foto nga VCG

“Ekonomia elastike e Kinës vazhdon të jetë një motor i rritjes globale. Kombinimi i paprecedentë i faktorëve kanë gjeneruar një rritje të inflacionit global, por Kina nuk ka pasur rritjen e inflacionit që vendet e tjera kanë vëzhguar dhe kjo i ka dhënë njëfarë lirie bankës qendrore të Kinës për të rregulluar politikën e saj monetare në mënyrë konstruktive”, -deklaroi gjatë një interviste për “Xinhua”, Agustin Carstens, menaxheri i përgjithshëm i Bankës për Shlyerjet Ndërkombëtare (BIS).

Sipas tij, bota ka qenë duke luftuar me inflacionin e lartë të shkaktuar nga goditje të njëkohshme.

Institucioni financiar më i vjetër ndërkombëtar me bazë në Bazel, Zvicër, publikoi të dielën Raportin Vjetor Ekonomik, ku thuhet se ekonomia globale rrezikon të hyjë në një epokë të re të inflacionit të lartë. Në raport bëhet thirrje që bankat qendrore të rivendosin inflacionin e ulët dhe të qëndrueshëm, të minimizojnë goditjen në ekonomi dhe të ruajnë stabilitetin financiar.

Ekonomia botërore nën goditje të rënda ka nevojë për një Kinë me rritje të fortë ekonomike, tha Carstens, duke shtuar se Kina ka qenë një motor i rritjes globale për mjaft dekada. “Unë mendoj se është e rëndësishme që kjo të ruhet. Politika më e shtrënguar monetare është thelbësore për të vënë nën kontroll dinamikën e inflacionit”, -shtoi Carstens.

Rritja globale humbet vrullin ndërsa inflacioni rikthehet, vuri në dukje raporti i BIS. Carstens tha se trajtimi i sfidës kërkon uljen e inflacionit dhe adresimin e dobësive financiare.

Ai sugjeroi se rritja ekonomike duhet të varet më shumë nga reformat strukturore, tregtia ndërkombëtare dhe aspekte të tjera që kontribuojnë në rritje më të qëndrueshme. (Fatosi)