Një i dërguar kinez paralajmëroi të martën se antagonizmi ndërmjet vendeve nuk është në të mirë për zgjidhjen e krizës në Ukrainë.

Foto:Mbledhja e hapur e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi çështjen e Ukrainës, 21 qershor, Nju Jork(Foto:VCG)

Foto:Mbledhja e hapur e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi çështjen e Ukrainës, 21 qershor, Nju Jork(Foto:VCG)

Duke folur në një konferencë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Ukrainën, Dai Bing, zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, tha se një klimë politike antagonizmi ka depërtuar në bashkësinë ndërkombëtare që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë, duke penguar seriozisht punën e OKB-së në fusha të ndryshme dhe duke vënë në pikëpyetje autoritetin dhe efektivitetin e Këshillit të Sigurimit.

Kjo nuk ndihmon për zgjidhjen e krizës së Ukrainës dhe mund të çojë në dështimin e mekanizmave të qeverisjes globale, duke e zhytur botën në ndarje dhe trazira më të mëdha, gjë që nuk është në interesin e asnjërës palë, u shpreh Dai në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Ukrainën me temë "Nxitja e dhunës çon në krime mizore".

"Fatet tona janë të lidhura dhe siguria jonë është e pandashme. Mendësia e Luftës së Ftohtë, logjika e hegjemonisë dhe politika e blloqeve e kanë humbur prej kohësh rëndësinë e tyre," tha ai. "Ne duhet të zëvendësojmë kundërvënien me dialogun, detyrimin me konsultimet, aleancat me partneritetin dhe përfitimin vetëm nga njëra palë me përfitimet e përbashkëta."

Këshilli i Sigurimit, në veçanti, duhet të mbajë përgjegjësitë e tij, të menaxhojë dallimet dhe të jetë një forcë aktive për lehtësimin e bisedimeve të paqes e ndërmjetësimin, tha përfaqësuesi kinez.

Konfliktet e zgjatura dhe të zgjeruara sjellin rreziqe më të mëdha sigurie dhe efekte përhapjeje, nga të cilat asnjë palë nuk mund të përfitojë. Bashkësia ndërkombëtare duhet të punojë së bashku për të shpërshkallëzuar situatën, për të shuar zjarrin dhe për të lehtësuar bisedimet e paqes, duke krijuar kështu kushte që palët të rifillojnë negociatat dhe të arrijnë armëpushim pa vonesa të mëtejshme, tha Dai.

Sipas tij, konflikti në Ukrainë ka zgjatur për gati katër muaj, dhe viktimat e zhvendosjet e njerëzve në rritje janë pikëlluese.

Duhet të gjenden rrethanat dhe shkaqet e shkeljes së të drejtës humanitare ndërkombëtare dhe çdo pretendim duhet të mbështetet në fakte, theksoi zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, duke shtuar se në pritje të përfundimeve, të gjitha palët duhet të shmangen prej akuzave të pajustifikuara.(Artan)