Presidenti turk Erdogan (Foto Anadolu)

Presidenti turk Erdogan (Foto Anadolu)

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kritikoi të hënën vendet e zhvilluara për mungesë përgjegjësie për krizën globale të refugjatëve, raporton “Xinhua”.

Në një fjalim video në Konferencën Parlamentare Globale për Emigracionin, që u hap në Stamboll në Ditën Botërore të Refugjatëve, Erdogan tha se barra e vërtetë e çështjes së emigrimit dhe refugjatëve ndihet nga vendet që janë fqinjë me rajonet e krizës dhe jo vendet e zhvilluara.

“Sipas shifrave të OKB-së, vendet me të ardhura të larta presin mesatarisht 2.7 refugjatë për 1000 njerëz, ndërsa vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta presin 5.8 refugjatë”, -tha presidenti turk.

“Ata që bëjnë një fushatë reklamuese me disa qindra refugjatë që kanë marrë, në fakt nuk marrin asnjë përgjegjësi për krizat e thelluara humanitare”, -shtoi ai.

Udhëheqësi turk paralajmëroi se problemi global i refugjatëve ka arritur nivele të papara që nga Lufta e Dytë Botërore.

Turqia, një vend me 84 milionë banorë, ka pritur më shumë se 3.6 milionë refugjatë që nga shpërthimi i një lufte civile në Siri në vitin 2011, sipas shifrave zyrtare turke. (Elona)