Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) do të mbledhë një komitet urgjence javën e ardhshme për të vlerësuar nëse shpërthimi i lisë së majmunëve përfaqëson një emergjencë ndërkombëtare të shëndetit publik.

Ky është niveli më i lartë i paralajmërimit lëshuar nga agjencia shëndetësore e OKB-së, që aktualisht vlen vetëm për pandeminë Covid-19 dhe poliomielitin, bën të ditur “CGTN”.

Deri tani ka afro 1600 raste të konfirmuara dhe 1500 raste të dyshuara të lisë së majmunëve dhe 72 vdekje në 39 vende, duke përfshirë vendet ku virusi përhapet zakonisht, njoftoi OBSH.

Lija e majmunëve është endemike në pjesë të Afrikës, por këtë vit po përhapet edhe në pjesën tjetër të botës. Virusi shkakton simptoma të ngjashme me gripin dhe lezione të lëkurës dhe përhapet përmes kontaktit të ngushtë.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se ishte koha për të konsideruar rritjen e reagimit, sepse virusi po sillet në mënyrë të pazakontë, më shumë vende janë prekur dhe ka nevojë për një koordinim ndërkombëtar. (Elona)