Foto: CGTN

Foto: CGTN

Diplomati i lartë kinez Yang Jiechi u takua të hënën në Luksemburg me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të ShBA-së Jake Sullivan. Yang theksoi në këtë takim që politikat e fundit të Uashingtonit ndaj Kinës nuk janë në përputhje me premtimet e bëra.

“Presidenti Biden i ka thënë vazhdimisht presidentit Xi se ShBA-ja nuk kërkon një Luftë të re të Ftohtë me Kinën; nuk synon të ndryshojë sistemin e Kinës; nuk shënjestron Kinën me aleancat e veta; nuk e mbështet ‘pavarësinë e Tajvanit’ dhe nuk ka si qëllim të kërkojë një konflikt me Kinën,” i tha Yang Sullivan-it.

“Me gjithë këto konsensuse, ShBA-ja vijon frenimin dhe shtypjen e Kinës. Politika të tilla nuk do ta ndihmojnë ShBA-në të shmangë problemet e veta, por vetëm do të çojnë në vështirësi në marrëdhëniet dypalëshe. Kjo është në kundërshtim me interesat e Kinës e të ShBA-së, dhe të mbarë botës,” shtoi Yang.

Javët e fundit janë vërejtur rritje të komunikimit të ShBA-së me forcat e “pavarësisë së Tajvanit”, të cilat Pekini paralajmëron se do të rrezikojnë themelet për paqen rajonale dhe marrëdhëniet Kinë-ShBA.

Ministria e Jashtme kineze u shpreh se Yang dhe Sullivan patën një bisedë të sinqertë, të thellë e konstruktive në Luksemburg dhe ranë në një mendje për shtimin e dialogut, pakësimin e keqllogaritjeve dhe menaxhimin siç duhet të dallimeve, duke zbatuar konsensusin midis liderëve të të dy vendeve.

Trajtimi i gabuar i çështjes së Tajvanit do të rrezikojë themelin e marrëdhënieve politike kino-amerikane, i tha Yang Sullivan-it.

Diplomati i lartë kinez paralajmëroi se rreziqe të tilla jo vetëm që ekzistojnë, por edhe po shtohen, pasi ShBA-ja vazhdon ta përdorë çështjet e Tajvanit për të frenuar rritjen e Kinës dhe autoritetet e Tajvanit vazhdojnë të mbështeten te ShBA-ja për të kërkuar pavarësinë.

ShBA-ja nuk duhet të bëjë ndonjë llogari të gabuar ose të ketë pritshmëri jorealiste për çështjen e Tajvanit, pasi Kina është e vendosur dhe e aftë të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, tha Yang.

Ai i kërkoi palës amerikane që t'i trajtojë këto çështje me kujdes dhe t'i përmbahet politikës së “Një Kine”.