Foto:Visual People

Foto:Visual People

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe homologu i tij vizitues venezuelian Nicolas Maduro nënshkruan një marrëveshje partneriteti 20-vjeçar, të shtunën, për të rritur bashkëpunimin në energji, ekonomi, turizëm, kulturë dhe politikë, njoftoi agjencia shtetërore iraniane e lajmeve “IRNA”, së cilës i referohet “Xinhua”.

Duke folur në një konferencë për shtyp pas nënshkrimit të marrëveshjes, Raisi tha se Irani gjithmonë ka kërkuar të ketë lidhje me vendet e pavarura dhe se rezistenca e Venezuelës kundër imperializmit dhe armiqve ishte shembullore.

Maduro, i cili mbërriti në Teheran të premten me një delegacion të rangut të lartë politiko-ekonomik, njoftoi për nisjen e një linje ajrore Karakas-Teheran, më 18 korrik.

Lideri venezuelian u takua edhe me udhëheqësin suprem iranian Ajatollahun Ali Khamenei, gjatë të cilit Maduro tha se vendi i tij po harton një udhërrëfyes të saktë për përmirësimin e bashkëpunimit me Iranin në fusha të ndryshme, veçanërisht shkencën dhe teknologjinë.

Duke lavdëruar marrëdhëniet midis dy palëve, Khamenei tha se duke forcuar lidhjet me Venezuelën, Irani ka treguar se ndërmerr rreziqe në kohë rreziku dhe u ofron ndihmë miqve të tij.

Irani ka ofruar disa ngarkesa karburanti për Venezuelën dhe e ka ndihmuar atë në riparimet e rafinerisë, pavarësisht presionit nga Shtetet e Bashkuara. Venezuela filloi importimin e naftës së rëndë iraniane muajin e kaluar, duke zgjeruar një marrëveshje shkëmbimi të nënshkruar vitin e kaluar për të tregtuar kondensimin iranian me naftën e rëndë të Venezuelës.

Irani është vendi i tretë që Maduro vizitoi këtë javë pas udhëtimeve në Turqi dhe Algjeri.