Foto nga VCG

Ligjvënësit e Parlamentit Evropian votuan të mërkurën me një rezultat të ngushtë në mbështetje të një propozimi të Komisionit Evropian për një ndalim të plotë të automjeteve të reja që lëshojnë dioksid karboni brenda vitit 2035.

Komisioni shpalli vitin e kaluar planet për të ndaluar shitjen e automjeteve me motorë me djegie të brendshme, si pjesë e një objektivi ambicioz klimatik për të ulur me më shumë se gjysmën lëshimet gjatë kësaj dekade dhe 90 për qind deri në vitin 2035.

Vendimi u miratua me 339 vota pro, 249 kundër dhe 24 abstenime në një sesion në Strasburg të Francës, duke kufizuar në praktikë shitjet e ardhshme të modeleve tërësisht elektrike pa lëshim.

Automjetet lëshojnë 12 për qind të dioksidit të karbonit në bllokun 27-anëtarësh, ndërsa transporti në përgjithësi rreth një të katërtën.

Pas votimit, kryetari i komitetit të mjedisit të BE-së, Pascal Canfin, shkroi në “Twitter”: "Makina 100 për qind me lëshim zero në 2035-n! Unë mirëpres fuqimisht votimin për standardet e CO2-shit në @Europarl_EN. Ky pozicion i Parlamentit Evropian është një fitore e rëndësishme dhe në përputhje me objektivin tonë të asnjanësimit klimatik".

Ligjvënësi i gjelbër gjerman i BE-së Michael Bloss gjithashtu e përshëndeti votimin si një masë që do të mbronte njëkohësisht klimën dhe vendet e punës në këtë sektor.

Ndërsa deputetja franceze e EPP-së Agnes Evren dukej më pak e entuziazmuar me këtë vendim, që, sipas saj, "do të dënonte aktivitetin industrial dhe do të penalizonte ashpër konsumatorët".

Ajo tha se legjislacioni do të parandalonte komercializimin e automjeteve hibride me performancë të lartë ose automjeteve që përdorin biokarburante, të cilat, sipas saj, mund të jenë më pak të kushtueshme dhe më pak ndotëse se automjetet elektrike.