Ekonomia globale është në rrugën e duhur për t'u rritur me 2.9 për qind në vitin 2022, 1.2 pikë përqindje më poshtë nga parashikimi i janarit, njoftoi Grupi i Bankës Botërore në Prospektet e fundit Ekonomike Globale të publikuar të martën.

Veç dëmit nga pandemia Covid-19, konflikti Rusi-Ukrainë ka rritur ngadalësimin e ekonomisë globale, e cila po hyn në atë që mund të bëhet një periudhë e zgjatur e rritjes së dobët dhe inflacionit të lartë, thuhet në raportin e cituar nga “Xinhua”.

Sipas raportit, pasoja për ekonomitë me të ardhura të mesme dhe të ulëta mund të jenë të rënda.

Rritja globale pritet të bjerë nga 5.7 për qind në vitin 2021 në 2.9 për qind në 2022-shin dhe të lëvizë rreth atij ritmi gjatë viteve 2023-2024, tregoi raporti.

Rritja në ekonomitë e përparuara parashikohet të ngadalësohet ndjeshëm nga 5.1 për qind në 2021-shin në 2.6 për qind në 2022-shin.

Midis tregjeve në zhvillim dhe ekonomive në zhvillim, rritja parashikohet gjithashtu të bjerë nga 6.6 për qind në vitin 2021 në 3.4 për qind në 2022-shin, shumë më poshtë mesatares vjetore prej 4.8 për qind gjatë periudhës 2011-2019.

Presidenti i Bankës Botërore, David Malpass, tha se për shumë vende recesioni do të jetë i vështirë për t'u shmangur, duke shtuar se është urgjente të inkurajohet prodhimi dhe të shmangen kufizimet tregtare.