Foto:VCG

Foto:VCG

Presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje të shtunën për t'i dhënë fund përshkallëzimit të dhunshëm midis izraelitëve dhe palestinezëve dhe u kërkoi të dy palëve të lëvizin drejt një zgjidhjeje paqësore, njofton “Xinhua”.

Deklarata e Macron u bë në një bisedë telefonike me presidentin palestinez Mahmoud Abbas, për të diskutuar përfundimin e tensionit në rritje në territoret palestineze, njoftoi agjencia zyrtare palestineze e lajmeve “WAFA”.

Macron u bëri thirrje të dyja palëve të shmangin tensionet dhe të lëvizin drejt nismave që do të çonin në një horizont politik për të lehtësuar paqen dhe stabilitetin në rajon. Ai gjithashtu e ftoi Abbasin të vizitojë Parisin.

Abbas tha se situata aktuale në territoret palestineze nuk mund të tolerohet, duke kritikuar Izraelin për mosrespektimin e angazhimeve të tij ndaj marrëveshjeve të paqes të nënshkruara.

Tensioni mes izraelitëve dhe palestinezëve është ndezur gjatë javëve të fundit, por nxitja e mëtejshme erdhi pas përleshjeve në kompleksin e xhamisë së shenjtë Al-Aksa në Jeruzalemin Lindor.

Palestinezët kanë kërkuar të krijojnë një shtet të pavarur në territoret palestineze të pushtuara nga Izraeli në Luftën e Lindjes së Mesme të qershorit 1967, duke përfshirë Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, me Jeruzalemin Lindor si kryeqytet.