Kroacia pritet të ketë euron si valutë kombëtare. Komisioni Evropian konfirmoi të mërkurën se Kroacia i ka përmbushur kushtet për vendosjen e euros nga 1 janari 2023 si monedhë të saj, bën të ditur “RTSH”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Kroacia ka bërë një hap të rëndësishëm drejt adoptimit të euros, monedhës së përbashkët europiane. Sipas saj, bashkimi me monedhën e përbashkët do ta bëjë ekonominë e Kroacisë më të fortë, duke sjellë përfitime për qytetarët e saj, bizneset dhe shoqërinë në përgjithësi.

Ndryshimi i planifikuar i vendit ballkanik nga monedha e vet, kuna, në euro do të vijë më pak se një dekadë pasi ai u bashkua me Bashkimin Evropian.

Parlamenti Evropian, si dhe 27 vendet anëtare të bllokut, duhet ende të miratojnë vlerësimet e KE-së. Një vendim përfundimtar mund të merret që në korrik.

Kroacia më pas do të planifikojë të zëvendësojë kunën me euron nga 1 janari. (Irma)