Turqia nuk tërhiqet nga qëndrimi për të refuzuar ofertat e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO. Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, deklaroi se do të vazhdojnë me vendosmëri këtë politikë, bën të ditur “Xinhua”.

Në një takim të enjten me një grup të rinjsh në kryeqytetin Ankara, Erdogan tha se Turqia dikur lejoi Greqinë të anëtarësohej në NATO dhe shtoi se qeveria e tij nuk do të bënte më të njëjtin gabim.

Presidenti turk përsëriti se Finlanda dhe Suedia po strehojnë njerëz të lidhur me Partinë e jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe Njësitë e Mbrojtjes së Popullit Kurd të Sirisë (YPG). Turqia gjithashtu i akuzon ata se strehojnë anëtarët e lëvizjes Gulen, të cilën Ankaraja zyrtare e akuzon se qëndron pas një përpjekjeje të dështuar për grusht shteti ushtarak në vitin 2016.

“Këto janë vendet që inkurajojnë burimet terroriste dhe u japin atyre mbështetje serioze financiare dhe armësh”, -tha Erdogan.

"Të dy vendet, veçanërisht Suedia, janë shtëpia e grupeve të terrorit. Ato gjithashtu vendosën sanksione armësh ndaj nesh", -tha ai, duke iu referuar ndalimeve të tyre për disa eksporte të mbrojtjes. (Irma)