Një milion banorë të vdekur nga COVID-19! Ky është realiteti në ShBA gjatë epidemisë së COVID-19.

Në një artikull të botuar të martën në revistën amerikane “Forbes” me titull “Kjo është pamja e ShBA-së me 1 milion viktima nga COVID-19”, vihet në dukje se pneumonia e koronavirusit të ri është bërë shkaku i tretë më i madh i vdekjeve në ShBA. Sipas artikullit, numri i të vdekurve nga ky virus është gati tre herë më i madh se i vdekjeve nga gripi gjatë 10 vjetëve të fundit, e kalon numrin e përgjithshëm të të vdekurve nga sida gjatë 40 vjetëve të kaluar dhe i afrohet dyfishit të numrit të amerikanëve të vdekur gjatë dy luftërave botërore. Epidemiologu amerikan Anthony Fauci e quan këtë shifër si “gur kilometrik shumë të mjerueshëm”.

Por më e mjerueshmja është se gjendja epidemike është bërë mjet politik i politikanëve amerikanë për sulme të ndërsjella, duke shkaktuar përçarjen e shoqërisë amerikane. Shumë masa bazë parandaluese, si vaksinimi dhe mbajtja e maskës së fytyrës, kanë qenë tema të debatueshme në këtë vend. Për interesat vetjake dhe partiake, një pjesë politikanësh kanë përhapur pandërprerë teori konspirative, të cilat e kanë keqorientuar publikun.

Joseph Varon, drejtori për shpëtimin urgjent dhe mjekimin e COVID-19 pranë Qendrës Mjekësore “United Memorial” në Hjuston, tha me keqardhje që, nëse më shumë amerikanë do të kishin drejtimin e duhur, nuk do të kishin vdekur 1 milion veta nga COVID-19.

Edhe ish-ministri i Mbrojtjes Mark Esper vuri në dukje se kërcënimi më i madh përpara ShBA-së nuk është epidemia, por “lufta ekstreme politike” midis dy partive.