Komisioni Evropian propozoi krijimin e të ashtuquajturave "korsi të solidaritetit" për të siguruar që Ukraina të mund të eksportojë grurë në Bashkimin Evropian dhe gjithashtu të importojë mallrat që i nevojiten, nga ndihma humanitare te ushqimi i kafshëve dhe plehrat, pasi portet e Ukrainës janë bllokuar për shkak të konfliktit me Rusinë, bën të ditur “Xinhua”.

“Paaftësia e Ukrainës për të eksportuar prodhimet e saj bujqësore përmes porteve të Detit të Zi për shkak të bllokadës po kërcënon sigurinë globale të ushqimit dhe ka nxitur zhvillimin e një plani veprimi për të kapërcyer këtë pengesë”, -thuhet në një deklaratë të KE-së.

Në rrethana normale, Ukraina eksporton 75 për qind të drithit që prodhon, duke gjeneruar rreth 20 për qind të të ardhurave të saj vjetore nga eksporti. Para konfliktit, portet e Detit të Zi të Ukrainës trajtonin 90 për qind të eksporteve të saj të drithit dhe farave vajore.

“Njëzet milionë tonë drithëra duhet të largohen nga Ukraina në më pak se tre muaj duke përdorur infrastrukturën e BE-së. Kjo është një sfidë gjigante, kështu që është thelbësore të koordinohen dhe optimizohen zinxhirët logjistikë, të vendosen rrugë të reja dhe të shmangen, sa më shumë që të jetë e mundur, pengesat”, -deklaroi eurokomisionerja për Transportin Adina Valean. (Irma)