Foto nga VCG

Rreth 4.8 milionë vende pune janë humbur në Ukrainë që nga fillimi i konfliktit me Rusinë, sipas një raporti të publikuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO).

Raporti "Ndikimi i krizës së Ukrainës në botën e punës: Vlerësimet fillestare" tregon se nëse situata do të përshkallëzohej, humbjet e punësimit do të rriteshin në shtatë milionë. Por, nëse konflikti ndërpritet menjëherë, mund të ketë një rimëkëmbje të shpejtë, me kthimin e 3.4 milionë vendeve të punës.

Sipas raportit të ILO-s, ekonomia e Ukrainës është prekur rëndë. Që nga fillimi i konfliktit ushtarak më 24 shkurt, më shumë se 5.23 milionë refugjatë kanë ikur në vendet fqinje. Refugjatët përbëhen kryesisht nga gra, fëmijë dhe persona mbi moshën 60 vjeç. Nga popullsia totale e refugjatëve, rreth 2.75 milionë janë në moshë pune.

Studimi vlerëson se kriza në Ukrainë mund të krijojë ndërprerje të punës edhe në vendet fqinje, kryesisht në Hungari, Moldavi, Poloni, Rumani dhe Sllovaki. Nëse konflikti ushtarak vazhdon, refugjatët ukrainas do të detyrohen të qëndrojnë në mërgim më gjatë, duke ushtruar presion të mëtejshëm në tregun e punës dhe sistemet e mbrojtjes sociale në këto shtete dhe duke rritur papunësinë në shumë prej tyre.

Në raportin e ILO-s thuhet se ndërprerjet ekonomike dhe të punësimit që prekin Rusinë kanë efekte të rëndësishme në Azinë Qendrore. Nëse sanksionet kundër Rusisë çojnë në humbje të vendeve të punës për punëtorët emigrantë në Rusi dhe ata kthehen në vendet e tyre të origjinës, do të ketë humbje të rënda ekonomike në Azinë Qendrore në tërësi, thuhet në raport. Raporti vlerëson se pasojat nga konflikti mund të përkeqësojnë kushtet e tregut të punës dhe të ndryshojnë disa nga përfitimet e bëra në shumë vende me të ardhura të larta, të cilat kohët e fundit kanë dëshmuar shenja të një rimëkëmbjeje më të fortë të tregut të punës. (Irma)