Foto: VCG

Foto: VCG

Numri i të uriturve në mbarë botën është rritur më tej në vitin 2021 për shkak të konflikteve, krizave ekonomike dhe kushteve ekstreme të motit, bëhet e ditur në një raport të publikuar nga agjencitë e OKB-së dhe BE-së.

Siguria ushqimore ishte në rrezik akut për 193 milionë njerëz në 53 vende në vitin 2021, një rritje prej afro 40 milionë nga viti 2020, sipas të dhënave cituar nga “ATSH”.

Konfliktet në Republikën Demokratike të Kongos, Afganistan, Etiopi, Sudan, Siri dhe Nigeri janë ndër arsyet pse numri i njerëzve që vuajnë nga uria është rritur në mënyrë të vazhdueshme vitet e fundit.

“Pandemia dhe kriza që pasoi vetëm e përkeqësuan situatën”, -thuhet në raport. Po ashtu, kushtet ekstreme të motit në disa vende afrikane kanë çuar në mungesa të mëdha ushqimore.

Sipas raportit, rreth 570.000 persona në Etiopi, Sudanin e Jugut, Madagaskarin Jugor dhe Jemen ishin në rrezik nga uria në vitin 2021.

OKB ka bërë thirrje për mbështetje të mëtejshme financiare dhe vullnet më të fortë politik për të ndaluar numrin në rritje të njerëzve të kërcënuar nga uria.