Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) i Ukrainës u rrit 3.4 për qind në vitin 2021 pas një tkurrjeje prej 4 për qind në vitin 2020, njoftoi të martën agjencia e lajmeve “Ukrinform”, duke cituar të dhëna nga banka qendrore e vendit.

“Ekonomia e Ukrainës rifilloi rritjen në vitin 2021, pavarësisht kushteve të vështira që lidhen me pasojat e krizës së koronavirusit”, -thuhet në një raport të Bankës Kombëtare të Ukrainës, citon “Xinhua”.

Deri në fund të vitit të kaluar, rezervat valutore të Ukrainës arritën nivelin më të lartë të nëntë viteve prej 30.9 miliardë dollarë amerikanë, ndërsa norma e inflacionit të vendit qëndroi në 10 për qind, sipas bankës.

Në vitin 2021, aktivet neto të bankave ukrainase u rritën me 12.8 për qind kryesisht për shkak të rritjes së përshpejtuar në kreditimin me pakicë dhe biznesin.

Muajin e kaluar, Banka Botërore parashikoi që PBB-ja e Ukrainës të tkurret 45.1 për qind këtë vit për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë.