Foto: VCG

Foto: VCG

Dy raketa Katyusha goditën të shtunën një bazë ajrore që strehon ekspertë dhe agjenci ushtarake amerikane në provincën perëndimore të Irakut, Anbar, njoftoi ushtria irakiane, citon “Xinhua”.

Dy raketat ranë në bazën ajrore Ayn al-Asad pranë qytetit të al-Baghdadi, rreth 190 km në veriperëndim të kryeqytetit Bagdad, duke mos shkaktuar viktima, njoftoi përmes një deklarate zyra e mediave e Komandës së Operacioneve të Përbashkëta të Irakut.

Sulmi me raketë erdhi, megjithëse kryeministri irakian Mustafa al-Kadhimi kishte konfirmuar më 29 dhjetor 2021 përfundimin e misionit luftarak të forcave të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të në vend.

Ahmed al-Dulaimi, një kolonel nga Komanda e Operacioneve të Anbarit, tha për “Xinhua” se forcat irakiane gjetën dy raketahedhës disa km larg bazës ajrore dhe incidenti është nën hetim.

Gjatë muajve të fundit, forcat irakiane të sigurisë kanë kryer sulme vdekjeprurëse kundër militantëve ekstremistë për të shtypur aktivitetet e tyre të intensifikuara.

Situata e sigurisë në Irak është përmirësuar pasi forcat irakiane mposhtën grupin militant të Shtetit Islamik (IS) në vitin 2017. Megjithatë, mbetjet e IS janë shkrirë që atëherë në qendra urbane, shkretëtirë dhe zona të thyera, duke kryer sulme të shpeshta guerile kundër forcave të sigurisë dhe civilëve.