Konflikti Rusi-Ukrainë ka shkaktuar një goditje të madhe në tregjet e mallrave, duke ndryshuar modelet globale të tregtisë dhe prodhimit dhe konsumit, sipas një raporti të Bankës Botërore (BB) të publikuar të martën.

Rritja e çmimeve të energjisë gjatë dy viteve të fundit ka qenë më e madhja që nga viti 1973, thuhet në raport. Rritjet e çmimeve për mallrat ushqimore, kanë qenë më të lartat që nga viti 2008, citon “Xinhua”.

Raporti vlerëson se çmimet e energjisë pritet të rriten më shumë se 50 për qind në vitin 2022 përpara se të lehtësohen në dy vitet e ardhshme. Çmimi i naftës bruto Brent pritet të jetë mesatarisht 100 dollarë për fuçi në vitin 2022, niveli i tij më i lartë që nga viti 2013 dhe një rritje prej më shumë se 40 për qind në krahasim me vitin 2021. Çmimet pritet të zbuten në 92 dollarë në 2023-shin, ende shumë mbi mesatares pesëvjetore prej 60 dollarësh për fuçi.

Çmimet e grurit parashikohet të rriten me më shumë se 40 për qind, duke arritur këtë vit në terma nominalë në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave. Çmimet e metaleve parashikohen të rriten me 16 për qind në vitin 2022 përpara se të lehtësohen në vitin 2023, por do të mbeten në nivele të larta.

Sipas raportit, çmimet e mallrave pritet të mbeten shumë mbi mesataren më të fundit pesëvjeçare.