Bashkimi Evropian paralajmëroi miliarderin Elon Musk se platforma e sapoblerë prej tij, “Twitter”, do të duhet të veprojë në pajtim me ligjet e reja të Evropës që frenojnë fuqinë e teknologjisë së madhe, raporton “AFP”.

"Qoftë për ngacmimet në internet, shitjen e produkteve të falsifikuara, pornografinë e fëmijëve, apo thirrjet për akte terrorizmi, “Twitter” do të duhet të përshtatet me rregulloret evropiane që nuk ekzistojnë në Shtetet e Bashkuara", tha komisionari i BE-së, Thierry Breton, bën të ditur “Radio Evropa e Lirë”.

Miliarderi Elon Musk ka arritur marrëveshje për të blerë rrjetin social, “Twitter”, për gati 44 miliardë dollarë, ka njoftuar kompania më 25 prill, më pak se dy javë pasi Musk bëri të ditur se kishte blerë 9 për qind të aksioneve të saj.

Musk, i cili e përshkruan veten si përkrahës të lirisë së shprehjes, ka thënë se dëshiron ta blejë platformën, sepse beson që nuk po e shfrytëzon potencialin që ka për liri të shprehjes. Ai është zotuar se do të mbajë një qëndrim të fortë ndaj fjalës së lirë në platformë.