Foto nga VCG

Kompanitë e BE-së mund të jenë në gjendje të punojnë rreth kërkesës së Rusisë për të marrë pagesa për gazin në rubla, pa shkelur sanksionet nëse paguajnë në euro ose dollarë, të cilat më pas konvertohen në monedhën ruse, tha Komisioni Evropian, citon “Scan TV”.

Kompanitë do të duhet gjithashtu të kërkojnë kushte shtesë për transaksionet, si një deklaratë që i konsiderojnë detyrimet e tyre kontraktuale të përfunduara pasi të kenë depozituar monedhat jo-ruse.

Rusia e ka paralajmëruar Evropën se rrezikon të ndërpresë furnizimin me gaz nëse nuk paguan në rubla. Në mars, ajo nxori një dekret që propozonte që blerësit e energjisë të hapnin llogari në “Gazprombank” për të bërë pagesa në euro ose dollarë, të cilat më pas do të konvertoheshin në rubla.

Komisioni njoftoi në fillim të këtij muaji se dekreti rrezikonte të shkelte sanksionet e BE-së pasi do të vendoste përfundimin efektiv të blerjes pasi pagesat të kthehen në rubla në duart e autoriteteve ruse.

Në një dokument këshillues dërguar vendeve anëtare, megjithatë, Komisioni bëri të ditur se propozimi i Rusisë nuk parandalon domosdoshmërish një proces pagese që do të përputhet me sanksionet e BE-së kundër Rusisë për konfliktin në Ukrainë.

Këshilla e Komisionit nuk është ligjërisht e detyrueshme, por është një përpjekje për të drejtuar diskutimin ndërsa vendet anëtare përpunojnë se si mund të vazhdojnë të paguajnë për gazin rus.