spanja, covid, elpais

spanja, covid, elpais

Autoritetet shëndetësore spanjolle nuk e fshehën shqetësimin pasi Qendra Kombëtare e Shëndetit dhe Emergjencave zbuloi praninë e variantit të ri XE të koronavirusit. Kjo përkoi dhe me vendimin e Spanjës për të hequr detyrimin e mbajtjes së maskave në ambiente të brendshme, përcjell “Top Channel”.

XE është një variant i ri tejet ngjitës i Covid-it dhe një nënvariant i Omikronit, që shpesh nuk mund të zbulohet nëpërmjet testeve Covid-19.

Pavarësisht se prania e tij në Spanjë është e ulët, Ministria e Shëndetësisë paralajmëron se sipas raporteve nga Mbretëria e Bashkuar, Covid XE është rritur javët e fundit me një ritëm më të lartë se ai i “Omikronit të heshtur” ose BA.2.

Mendohet se XE mund të jetë më infektuesi nga të gjithë variantet. Sipas të dhënave, ai konsiderohet si një variant i rikombinuar, që mund të ndodhë kur një person infektohet me dy ose më shumë variante në të njëjtën kohë, duke bërë që materiali i tyre gjenetik të përzihet brenda trupit të pacientit.

Ky shtam i ri u zbulua për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar në 19 janar të këtij viti, me më shumë se 600 raste dhe më vonë u raportua nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në fillim të prillit.

Megjithatë, OBSH theksoi se ende po kryhen studime për përhapjen globale të sëmundjes gjatë javëve të fundit për shkak të numrit më të ulët të testeve. (Irma)