Foto: VCG

Foto: VCG

Ndërsa numri i rasteve dhe vdekjeve të reja COVID-19 vazhdon të bjerë, Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri të ditur se pandemia vazhdon të mbetet një emergjencë globale e shëndetit publik.

Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, këshilloi vendet të jenë të përgatitura për të rritur me shpejtësi reagimin ndaj COVID-19, nëse do të jetë e nevojshme, raporton “Xinhua”.

Sipas OBSH-së, numri global i rasteve dhe vdekjeve të reja COVID-19 vazhdoi të bjerë gjatë javës 4-10 prill për të tretën javë radhazi, me mbi 7 milionë raste dhe mbi 22.000 vdekje të raportuara, një rënie prej 24 për qind dhe 18 për qind, respektivisht, krahasuar me javën e kaluar.

"Megjithatë, disa vende janë ende dëshmitare të rritjeve serioze të rasteve, gjë që po ushtron presion mbi spitalet. Dhe aftësia jonë për të monitoruar tendencat është në rrezik pasi testimi është ulur ndjeshëm", -tha Tedros.

Sipas tij, OBSH aktualisht po ndjek nga afër nënvariantet e Omikron, duke përfshirë BA.2, BA.4 dhe BA.5, dhe një tjetër rekombinant i zbuluar, i përbërë nga BA.1 dhe BA.2.

"Mënyra më e mirë për të mbrojtur veten është të vaksinoheni dhe të merrni dozat përforcuese kur rekomandohet. Vazhdoni të mbani maska, veçanërisht në hapësirat e brendshme të mbushura me njerëz. Mundohuni që hapësirat e brendshme të jenë të ajrosura mirë”, -rekomandoi shefi i OBSH-së. (Irma)