Foto:VCG

Foto:VCG

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan deklaroi se Turqia synon të bëhet një superfuqi logjistike deri në vitin 2053. Ai theksoi se trekëndëshi tregtar Evropë-Azi-Afrikë, ku ndodhet Turqia, ofron mundësi të mëdha për vendin veçanërisht në fushën e transportit, citon “Xinhua”.

Erdogan theksoi se Turqia ka bërë investime të rëndësishme me vlerë 172 miliardë dollarë në pesë sektorë kryesorë të transportit që nga viti 2003, me fokusin kryesor te sistemi hekurudhor, i cili nga rreth 13 mijë km pritet të zgjatet në mbi 28 mijë km deri në vitin 2053.

Turqia do të përmirësojë gjithashtu nivelin e shërbimit rrugor me investime të reja, duke zgjeruar rrjetin e ndarë rrugor nga 28.650 km në 38.000 km dhe rrjetin e autostradave nga 3633 km në 8325 km deri në vitin 2053, shtoi Erdogan.

Sipas tij, afro 255 milionë tonë mallra synohet të transportohen përmes porteve turke vitin e ardhshëm dhe kjo shifër do të jetë afërsisht 421 milionë tonë në vitin 2053. Në këtë mënyrë, numri i objekteve portuale do të rritet nga 217 aktualisht në 255 në vitin 2053. (Irma)