Foto: VCG

Foto: VCG

Çmimet e naftës u rritën të martën pasi Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) paralajmëroi për rreziqe të mëdha të furnizimit nëse nafta ruse ndalohet plotësisht.

“West Texas Intermediate” (WTI) për dorëzimin e majit shtoi 6.31 dollarë amerikanë ose 6.7 për qind, për të arritur në çmimin 100.60 dollarë amerikanë për fuçi në bursën tregtare të Nju Jorkut. Nafta e papërpunuar “Brent” për dorëzimin e qershorit u rrit me 6.16 dollarë ose 6.3 për qind, për t'u mbyllur në 104.64 dollarë për fuçi në bursën “ICE Futures” të Londrës.

Sekretari i përgjithshëm i OPEC-ut, Mohammad Barkindo, paralajmëroi të hënën në një takim midis përfaqësuesve të Bashkimit Evropian (BE) dhe OPEC-ut se nuk do të jetë në gjendje të kompensojë një ndërprerje deri në 7 milionë fuçi në ditë në rast të një embargoje ndaj naftës ruse, bën të ditur “Xinhua”.

Për më tepër, ai i sheh çmimet si të nxitura nga faktorët politikë aktualisht. BE mbetet e ndarë për ndalimin e importeve të naftës së papërpunuar ruse, por disa ministra të Jashtëm thanë se opsioni nuk është jashtë tryezës.