Festimet për të shënuar përcaktimin e Kajros si "Kryeqyteti i Kulturës në Botën Islamike për vitin 2022" u përuruan të hënën.

Ministri egjiptian i Kulturës, Inas Abdel-Dayem, dhe drejtori i përgjithshëm i Organizatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Botës Islame (ICESCO), Salim AlMalik morën pjesë në ceremoninë e hapjes, citon “Xinhua”.

Ministri Abdel-Dayem tha se Kajro përqafon diversitetin unik kulturor dhe paraqet qytetërimin e lashtë islam me kështjella, mure, shkolla e xhami. Ndërsa AlMalik tha se kryeqyteti egjiptian ka ruajtur trashëgiminë dhe rëndësinë e tij ndër dekada.

Në deklaratën e ministrisë thuhet se me këtë rast do të organizohen rreth 149 evente që mishërojnë tiparet më të rëndësishme të identitetit egjiptian, të cilat do të përfshijnë seminare, leksione, konferenca, botime, galeri fotografish dhe konkurse, shfaqje artistike, shfaqje folklorike dhe ekspozita artizanale.