Konflikti i vazhdueshëm midis Rusisë dhe Ukrainës i ka dhënë një goditje të rëndë ekonomisë globale, duke ulur rritjen e parashikuar të tregtisë globale për vitin 2022 nga 4.7 për qind e parashikuar tetorin e kaluar në mes 2.4 për qind dhe 3 për qind. Projeksioni, i bazuar në një model simulimi ekonomik global, u bë nga Sekretariati i Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), citon “Xinhua”.

Sipas të njëjtit model, kriza mund të ulë rritjen e PBB-së globale me 0.7-1.3 pikë përqindjeje, duke e çuar atë në diku midis 3.1 për qind dhe 3.7 për qind për vitin 2022. Konflikti ka rritur çmimet e ushqimit dhe energjisë dhe ka ulur disponueshmërinë e mallrave të eksportuara nga Rusia dhe Ukraina, thuhet në shënimin e Sekretariatit të OBT-së.

Rusia dhe Ukraina janë të dyja furnizues të rëndësishëm të produkteve thelbësore, veçanërisht ushqimit dhe energjisë. Të dy vendet furnizuan rreth 25 për qind të grurit, 15 për qind të elbit dhe 45 për qind të eksporteve të produkteve të lulediellit në nivel global në vitin 2019. Vetëm Rusia përbënte 9.4 për qind të tregtisë botërore të karburanteve, duke përfshirë një pjesë prej 20 për qind në eksportet e gazit natyror. Evropa, destinacioni kryesor për eksportet ruse dhe ukrainase, ka të ngjarë të përjetojë peshën kryesore të ndikimit ekonomik. Dërgesat e reduktuara të drithërave dhe produkteve të tjera ushqimore do të rrisin gjithashtu çmimet për mallrat bujqësore.

Afrika dhe Lindja e Mesme janë rajonet më të cenueshme, pasi importojnë mbi 50 për qind të nevojave të tyre për drithëra nga Ukraina dhe/ose Rusia.