Foto:VCG

Foto:VCG

Kanceri, sëmundjet infektive, sulmet në zemër, goditjet në tru dhe astma, të lidhura me smogun, ujin e ndotur, ngrohjen globale dhe konsumin e tokës: mbi 13 milionë vdekje në mbarë botën, çdo vit, ndodhin prej shkaqeve mjedisore të shmangshme, duke përfshirë krizën klimaterike, që është kërcënimi më i madh për shëndetin e njerëzimit, bëri të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë, në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetit, citon "Ansa".

Gjatë dekadave të fundit, përmirësimet në shërbimet shëndetësore dhe higjienike, së bashku me përhapjen e barnave dhe vaksinave, kanë kontribuar në një rritje të jetëgjatësisë mesatare. Megjithatë, ndotja e ajrit dhe e ujit janë kërcënime urgjente për shëndetin publik, thonë ekspertët.

Sipas tyre, 9 nga 10 persona marrin ajër të ndotur dhe ndotja e ajrit të lidhur me lëndët djegëse fosile vret 7 milionë njerëz çdo vit, ose 13 çdo minutë, për shkak të kancerit të mushkërive, sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru, ndërsa 2 miliardë njerëz nuk kanë ujë të pijshëm të sigurt nga liqenet, lumenjtë apo akuiferët e ndotur dhe 3.6 miliardë nuk kanë kanalizime të sigurta.

Ende rreth 829.000 njerëz vdesin çdo vit nga sëmundjet diarreike të shkaktuara nga uji i ndotur dhe higjiena e dobët. (Irma)