"Kudo ku shkon NATO-ja, ndodhin shkatërrime dhe kaos. Për mbrojtjen e paqes botërore, NATO-ja duhet të shpërndahet," thotë sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Indisë Doraisamy Raja në një artikull të publikuar të enjten në uebsajtin e gazetës "Indian Express".

Në artikull vihet në dukje që lufta në Ukrainë e ka vënë NATO-n në fokusin e vëmendjes. Kjo aleancë, e krijuar nga vendet e mëdha perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore për përballimin e ngritjes së Bashkimit Sovjetik, duhet shpërndarë me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe të sistemit socialist në vendet e Evropës Qendrore e Lindore. Më ironike është se NATO-ja nuk bëri asnjë ndërhyrje ushtarake zyrtare gjatë Luftës së Ftohtë, por këto ndërhyrje nisën pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Sipas artikullit, kudo që shkon, NATO-ja shkakton shkatërrime dhe paqëndrueshmëri. Qoftë në Luftën e Kosovës, ashtu edhe në luftërat në Afganistan e Irak, si edhe në ndërhyrjen në Libi, janë shkaktuar shumë viktima civile. NATO-ja zotëron armët më të përparuara në botë dhe shpenzimet e përgjithshme ushtarake të vendeve të saj anëtare i kaluan 1 trilion dollarët amerikanë në vitin 2019, ndërsa buxheti ushtarak i Rusisë ishte vetëm 60 miliardë dollarë amerikanë. Në këtë sfond, duhen marrë parasysh shqetësimet e Moskës për praninë ushtarake të NATO-s në dyert e Rusisë.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Indisë thekson më tej se zgjerimi i mëtejshëm i NATO-s dhe pjesëmarrja e saj në çështjet globale përbëjnë kërcënim për paqen dhe rendin e drejtë botëror. Veprimet e kaluara të kësaj aleance tregojnë se ajo nuk ka mbrojtur të ashtuquajturën "siguri kolektive", siç ka premtuar, por u ka sjellë pasiguri vendeve që kundërshtojnë interesat e ShBA-së. Nga veprimet ushtarake të NATO-s kanë përfituar kompanitë e industrisë ushtarake dhe monopolet.

Në fund të artikullit shprehet ideja se konflikti i tanishëm Rusi-Ukrainë vjen nga logjika e zgjerimit të kësaj aleance ushtarake. "Ne e kundërshtojmë qartë luftën e tanishme. Njëkohësisht, duhet të ngremë çështjen e humbjeve njerëzore nga NATO-ja," thekson autori. (Wang Lei/ Artan)