Ndër sanksionet e vendeve perëndimore kundër Rusisë mbi konfliktin e saj me Ukrainën, çështja nëse BE-ja duhet të ndalojë importimin e naftës e të gazit natyror nga Rusia mbetet e debatueshme. Vendet e BE-së e importojnë mbi 40 për qind të gazit natyror dhe afro 30 për qind të naftës nga Rusia dhe kjo do të thotë që, nëse ato ndalojnë importimin e naftës e të gazit natyror nga Rusia, do të goditet jo vetëm sektori energjetik i Rusisë, por edhe i vetë BE-së.

Ministri i Jashtëm i Austrisë Alexander Schallenberg paralajmëroi ditët e fundit "efektin bumerang" të sanksioneve ndaj Rusisë. Ai është i mendimit se, me të ndaluar importimin e gazit natyror nga Rusia, do të "qëllohen" në fund vetë vendet e BE-së. Edhe homologu i tij hungarez Szijjártó Péter u shpreh qartazi se nuk do të përkrahë embargon ndaj gazit natyror nga Rusia.

Në bregun tjetër të Atlantikut, presidenti amerikan Joe Biden tha ditët e fundit: "E di që ndalimi i importimit të gazit natyror nga Rusia do t'i shkaktojë ca humbje BE-së, por kjo është e drejtë në aspektin moral."

ShBA-ja, nga njëra anë, ka përfituar shumë duke shfrytëzuar konfliktin Rusi-Ukrainë dhe, nga ana tjetër, e ka "rrëmbyer" Evropën me "drejtësinë morale", duke shpërfillur humbjet e saj. Kjo demaskon natyrën egoiste dhe të pamëshirshme të ShBA-së. (Wang Lei/ Artan)