Një në pesë persona nga stafi spitalor u infektua nga varianti Omicron i Covid-19 pasi kishin marrë dozën e tretë të vaksinës, bëhet e ditur në një studim suedez, të raportuar nga televizioni “SVT”, citon “Xinhua”. Sipas studimit, shumica kishte vetëm simptoma të lehta, por ngarkesa e virusit ishte mjaft e lartë për ta transmetuar atë deri në nëntë ditë.

Në studim, 375 punonjës në spitalin “Danderyd” në Stokholm u testuan çdo dy ditë për katër javë rresht. Më shumë se 20 për qind e tyre rezultuan pozitivë brenda dy muajve nga marrja e dozës së tretë të vaksinës dhe shumica nuk kishin simptoma.

"Kjo është hera e parë që nivelet e virusit në rrugët e frymëmarrjes u ndoqën gjatë një infeksioni të vazhdueshëm Omicron dhe ishte befasuese që kaq shumë rezultuan pozitivë për kaq gjatë dhe kishin nivele kaq të larta të virusit pavarësisht se sapo kishin marrë dozën e tretë të vaksinës", -deklaroi mjekja specialiste Charlotte Thalin, që mori pjesë në studim, duke theksuar se në këtë mënyrë vërtetohet se Omicron mund të shmangë sistemin imunitar. Por, sipas saj, kjo nuk do të thotë se vaksinat nuk janë të dobishme.

“Vaksinat mbrojnë kundër formave të rënda të sëmundjes dhe Omicron është potencialisht i rrezikshëm për ata që nuk janë vaksinuar, të moshuarit dhe individët që i përkasin një grupi rreziku. Ne gjithashtu duam të minimizojmë përhapjen e infeksionit pasi mutacionet e reja dhe variantet e virusit kanë më shumë gjasa të zhvillohen nëse përhapja e infeksionit është e lartë”, -shtoi ajo. (Irma)