Gazeta amerikane “New York Times” publikoi së fundmi një artikull, ku thuhet se ShBA-ja është e vetmja “superfuqi sanksionuese”, por kjo fuqi duhet përdorur me mençuri. Në artikull shprehet besimi që, nëse sanksionet ekonomike përdoren në mënyrë të tepruar, ato do t'i detyrojnë vendet e sanksionuara të rezistojnë me forcë, gjë që jo vetëm do të rrezikojë paqen dhe stabilitetin global, por edhe do të dëmtojë interesat afatgjatë të vetë Shteteve të Bashkuara.

Sipas “Raportit të Vlerësimit të Sanksioneve 2021” të publikuar nga Departamenti i Thesarit i ShBA-së, në 20 vitet që nga sulmi i 11 shtatorit, ka pasur një shpërthim të sanksioneve ekonomike dhe financiare të vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj vendeve të tjera. Që nga viti fiskal 2021, më shumë se 9 400 sanksione të ShBA-së kanë hyrë në fuqi, me një rritje gati dhjetëfish krahasuar me 20 vjet më parë. Peter Harrell, një studiues i lartë në Qendrën për një Siguri të Re Amerikane (CNAS), një institut i njohur amerikan studimi politikash, beson se sanksionet e njëanshme nga Shtetet e Bashkuara do të çojnë në izolimin e ShBA-së në ekonominë botërore. Daniel W. Drezner një studiues në Universitetin Tufts të ShBA-së, theksoi se sanksionet ekonomike janë bërë zgjidhja e preferuar për pothuajse të gjitha problemet diplomatike, por ato gradualisht po humbasin efektin e tyre parandalues. Qëndrimi i ashpër i Rusisë dhe Iranit është prova më e mirë e dështimit të sanksioneve amerikane.